Ministrja e Financave Anila Denaj ishte në një takim me drejtuesit e institucioneve lokale të Vlorës në prezantimin e nismës për fiskalizimin e bizneseve. Në takimin e mbajtur në prefekturën e Vlorës, Denaj ka folur me krerë të institucioneve vendore. Më pas i është përgjigjur medias mbi problemin e ngritur për financimin e projektit të rrugës Vlorë-Orikum dhe atë të rrugës së lumit të Vlorës.
Denaj tha se ditën e djeshme, i është përgjigjur akuzave të presidentit juridikisht. “Diskutimet tona nuk duhet të mbajnë peng investime të mëdha”, tha Denaj dhe tha se beson që me Presidentin do e gjejnë gjuhën e përbashkët.
“Ne kemi rënë dakord për financat për huan, ndaj nuk janë ngritur grupe negociatorësh”, shton Denaj. Ndërsa është pikërisht mungesa e grupit negociator ajo që ka bërë që presidenti Meta të mos japë dakordësinë e marrjes së një tjetër huaje.
Denaj ka folur edhe për anulimin e rrugës së Selenicës, njohur si loti i 4 i projektit të lumit të Vlorës, duke thënë se në fazën e parë, në analizë, projekti kërkonte investim më të lartë se sa financimi.
Ministrja Denaj zhvilloi disa takime në Vlorë mbi informimin e fiskalizimit të bizneseve, ku ka folur edhe për dëmin e shkaktuar nga pandemia. Sipas Denaj, situata nuk quhet alarmante për 571 biznese të mbyllura në Vlorë.