Mëngjesin e sotëm, ambasadori gjerman Peter Zingraf ka zhvilluar një takim Vitore Tushën, e cila është anëtarja me kompetencat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese si dhe drejtuesja e KED që prej qershorit 2020. Mësohet se në këtë takim Zingraf ka diskutuar me Tushën për ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe ngritjen sa më parë të Gjykatës Kushtetuese.
Gjatë takimit Zingraf shprehu mbështetjen dhe angazhimin e shtetit gjerman për reformën e sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe për ecurinë pozitive të saj me qëllim funksionimin sa më të shpejtë të institucioneve dhe plotësimin e kushteve për integrimin e Shqipërisë në BE.
“Një Gjykatë Kushtetuese funksionale është e një rëndësie qendrore për demokracinë dhe besimin e shqiptareve dhe shqiptarëve në institucionet e tyre. KED-ja luan një rol të rëndësishëm në plotësimin e pozicioneve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Unë jam mirënjohës për shpjegimet e zonjës Tusha në lidhje me punën e KED-së përgjatë verës, që prej marrjes së funksionit të saj si dhe për hapat e mëtejshëm. Znj. Tusha solli në vëmendje rëndësinë e opinionit të Komisionit të Venecias për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese. Unë shpresoj se me plotësimin e vendeve të tjera të rivendoset mundësisht menjëherë funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese. Ky është një kriter i rëndësishëm edhe për çështjen se kur do të zhvillohet konferenca ndërqeveritare për negociatat e pranimit në BE. Gjermania do ta mbështesë Shqipërinë edhe më tej në fushën e reformës në drejtësi.” tha ambasadori gjerman.