Duket se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë në zhvillim të vazhdueshëm edhe pse nuk janë në ditët e tyre më të mira. Gjatë ditës së sotme janë publikuar foto nga Ambasada amerikane në Tiranë të çasteve kur kryhen manovra detare të përbashkëta të anijeve shqiptare dhe amerikane.
Dy anije patrullimi shqiptare të klasës Iliria (ALS Oriku dhe ALS Lissus) dhe anija amerikane USS Monterey ekzekutojnë manovra detare të thjeshta dhe të përparuara në brigjet e Shqipërisë, duke kryer të gjitha procedurat dhe manovrat në përputhje me standardet e NATO-s.
”Ky trajnim tregon rritjen e koordinimit dhe ndërveprimit dypalësh midis dy flotave tona. Përmes operacioneve dhe trajnimeve të tilla si ky, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj përmirësojnë marrëdhëniet ekzistuese të bashkëpunimit dhe ndërmarrin hapa të mëdhenj në ruajtjen e lidhjes jetike të rajonit me ekonominë globale”, tha Kapiteni i USS Monterey Joseph Baggett, CO.