Partia Demokratike përmes një konference për media të ish-deputetit Enkelejd Alibeaj, ka reaguar në lidhje me pezullimin nga detyra të zëvendësdrejtorit të Operacionit Forca e Ligjit, Artan Shkëmbi. Ky i fundit rezulton nën hetim për korrupsion dhe nxjerrje të sekretit hetimor. Alibeaj shprehet se Rama ashtu sikurse dhe Shkëmbi janë bashkëpuntorë të krimit të organizuar ndaj nuk e luftojnë atë.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENKELEJD ALIBEAJ
Operacioni Forca e Ligjit, prej krijimit të tij, ka qenë një iluzion. Me drejtimin e qeverisë nga Edi Rama, forcën dhe pushtetin e ka krimi. Çdo gjë tjetër është fasadë. Krimi emëron drejtorët e policisë, krimi merr tenderat, krimi bashkëqeveris. Rasti i bashkëpunimit të kreut të OFL-së me krimin e organizuar tregon falsitetin e procesit të vetingut në polici dhe gjendjen e depërtimit të krimit në kupolën e Policisë së Shtetit.
Pak javë më parë, kreu i OFL-së e kaloi me sukses vetingun, duke dëshmuar se Ministria e Brendshme, shërbimi informativ dhe strukturat e tjera, në të vërtetë, nuk funksionojnë. Ato janë fasada e pushtetit që, nga një anë, bën shoë me të ashtuquajturën luftë kundër krimit, nga ana tjetër paguhet nga krimi.
Institucionet e vërteta, që nuk janë në shërbim të partisë shtet, por kanë të parin interesin publik, nuk do të kishin pritur partnerët, por do të kishin zbuluar se kreu i strukturës më të rëndësishme të policisë, është i blerë nga krimi i organizuar.
Nën thundrën e krimit, policia ka dështuar gjithmonë të vendosë ligjin mbi interesin e pushtetit. Edhe për laboratorin e parë të kokainës në Shqipëri, pala shqiptare u njoftua nga partnerët e huaj dhe e dekonspiroi operacionin për të shpëtuar Olsi Ramën dhe mikun e tij, që drejtonte trafikun, Genci Xhixho.
Rasti i bashkëpunimit të kreut të OFL-së me krimin, nuk është rast i izoluar.
5 vjet më parë, nën presionin e opozitës, u zbulua se Policia mbante fshehur urdhrin e arrestit ndërkombëtar për deputetin e Edi Ramës, Mark Frroku. Në të vërtetë, kreu i OFL-së nuk ka bërë as më pak, as më shumë, sesa ka bërë kryeministri i vendit. Pak ditë më parë ne denoncuam takimin e Edi Ramës me disa nga figurat e botës së krimit në Durrës për t’u siguruar paprekshmëri në këmbim të përfshirjes së tyre në fushatën elektorale të Partisë Socialiste.