Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, sot ka folur rreth procesit të dialogut dhe takimit të 4 shtatorit që do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vuçiç ka thënë se pavarësisht atyre çfarë deklarohen dhe thuhen, është e qartë që edhe në Washington, edhe në Bruksel dhe kudo tjetër, tema e vetme është njohja reciproke Kosovë-Serbi.
“E vetmja temë kudo, pa marrë parasysh se çfarë thotë dikush në SHBA, do të jetë njohja e ndërsjellë, në një mënyrë apo tjetër”, ka thënë Vuçiç.
Ai ka thënë se edhe procesi i dialogut që drejton BE në fund do të çojë tek njohja reciproke, veçse tashmë po diskutohet për normalizim raportesh.
“Kushdo që thotë ndryshe po gënjen popullin e tij, duke blerë kohë dhe duke mashtruar njerëzit”, ka theksuar Vuçiç.
Megjithatë kreu i shtetit serb ka thënë se pavarësisht se çfarë do të ndodh, do të ruaj interesin e Serbisë, duke shtuar se tashmë janë duke i paguar gabimet e së kaluarës.
“Nëse do të më ofrohet një takim bilateral me presidentin e SHBA-së unë do të jem presidenti i parë i Serbisë që do të refuzojë”, ka thënë Vuçiç, teksa është pyetur nëse do t’i kërkohet njohja e Kosovës nga Amerika.