Albin Kurti, i zgjedhur për të qenë kryeministri i ardhshëm i Kosovës ka shkuar për herë të parë për të ndjekur një ndeshje në stadium.
Ka qenë pikërisht ndeshja e mbrëmjes së djeshme kundër Malit të Zi, ajo që ka bërë Kurtin të shkojë për herë të parë në stadium për të ndjekur Kombëtaren e Kosovës, ose siç njihet ndryshe me pseudonimin “dardanët”.
Kurti ka preferuar që të mos shkojë në tribunën VIP, siç zakonisht bëjnë liderët politikë, po ka qenë në tribunat e tjera, së bashku me tifozët e zakonshëm. Pas ndeshjes Kurti uroi dhe fitoren e Shqipërisë kundër Moldavisë, duke thënë se me mundësitë e para që u jepen shqiptarët dinë të shkëlqejnë.
“Teksa Kosova shënoi 2 gola në portën e Malit të Zi në Prishtinë, merrnim mesazhet për 4 golat e Shqipërisë si mysafire në Moldavi. Dy skuadrat tona na gëzuan sonte 6 herë. Dhe, nuk morën asnjë gol. Sulmuan bukur e suksesshëm. U mbrojtën mirë e pa siklet. Shkëlqejnë shqiptarët, sado pak mundësi kur kanë”, shkruan Kurti në postimin e tij.
(E.K/Faxweb.al)