Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke bërë fushatë në zgjedhjet Parlamentare të Shqipërisë për kandidatët e “Vetëvendosjes”, të cilët garojnë të pavarur.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti u bën thirrje qytetarëve që të votojnë kandidatët e ‘Vetëvendosjes’ pasi tashmë qeveritarët që kanë 30 vite që drejtojnë nuk kanë më ide të reja.
“Me Iliaz Shehun jam takuar para disa viteve, kur ai jetonte e studionte filozofi në Paris. Sot, ai është ligjërues universitar në Shqipëri. Aktivist i Lëvizjes qysh prej 2010, ai kërkon mbështetjen tuaj si Kandidat i Pavarur për deputet në Qarkun e Lezhës, me numër 13.
Synim i VETËVENDOSJE!-s është që të rinjtë si Iliazi t’i kthejë në Atdhe, sepse vetëm kështu mund ta bëjmë ndryshimin që njerëzit kaq shumë e duan dhe që popullit e shtetit i nevojitet.
Doktorant në Sorbonë, Iliazi është njeriu i duhur për të çuar përpara një projekt të mirëfilltë moderniues dhe evropianizues. Nuk munden më figurat, praktikat dhe idetë e konsumuara për 30 vjet, të prodhojnë dot ndonjë gjë të re sot.
Lëvizja është në Lezhë për të qëndruar, dhe me punën e Iliaz Shehut, Marin Nikollës, Emanuela Kamshit e shumë të tjerëve që po kontribuojnë pa u lodhur, shpejt Lezha do të jetë qendër e fortë e Lëvizjes.
Qytetarë nga Lezha e Mirdita, nga Laçi e Shëngjini, mos harroni, në 25 prill, në fundin e fletës së votimit, Iliaz Shehun e gjeni si Kandidat të Pavarur me numrin 13. Ai është kandidat #KrejtTjetër.”, shkruan Kurti.
(R.G/Faxweb.al)