Një zjarr i madh ka përfshirë këtë të premte masivin pyjor me pishë në fshatin Patin të Bashkisë së Klosit.Era ka favorizuar flakët e zjarrit të cilat janë përhaur me shpejtësi të zonë.Të parët që kanë nisur ndërhyrjen për shuarjen e flakëve kanë qenë banorë të zonës.
Një nga banesat e rrezikuara nga flakët ka qenë ajo e Gani Tushës, i cili ka nisur shuarjen e flakëve me mjete rrethanore.
Ndërkohë drejt vatrës së zjarrit është nisur menjëherë edhe mjeti zjarrfikës i Bashkisë së Klosit si dhe punonjësit e këtij shërbimi.
Kryetari i Bashkisë Klos Ilmi Hoxha ka urdhëruar stafin e shërbimit zjarrfikës të mbrojnë banesat, duke vendosur aty mjetin zjarrfikës.Ndërkohë për shkak të mungesës së rrugës automobilistike, për shuarjen e zjarrit janë përdorur pompa shpine nga zjarrfikësit. 1 hektar pishë mësohet se është përshkuar nga flakët, ndërsa bashkia Klos tha se tashmë vatra është neutralizuar për të mos lejuar përhapjen e mëtejshme të saj.
Ndërsa një tjetër zjarr i fuqishëm ka përfshirë një sipërfaqe me 2 dynym ullishte dhe 10 hektarë pyll në afërsi të fshatit Shtepanjë në Bashkinë Cerrik. Zjarri ka qenë shumë i fuqishëm duke bërë që të shkrumbohen disa hektarë pyll, por falë punës së forcave të zjarrfikëses së Gramshit si dhe ato të Elbasanit situata është vënë nën kontroll.