Deputeti i PD, Belind Këlliçi denoncoi ditën e sotme abuzimet me fondet e shkollës së mesme profesionale në Bushat. Ai tha se numri i nxënësve që bënin mësim në këtë shkollë kishte rënë ndjeshëm ndërsa numri i punonjësve ishte shtuar në mënyrë fitikive me familjarë të kryebashkiakut të Vaut të Dejës dhe zyrtarëve të tjerë bashkiakë.
“Sot Shqipëria ndodhet në një situatë kur të rinjtë largohen nga vendi. Shkollat më të mira po mbyllen. Edhe në zona të thella të Shqipërisë kur institucionet janë themeluar me fonde të KiE, ato shkojnë drejt mbylljes për shkak se vidhen paratë që dedikohen për nxënësit.
Në këtë institucion numri i nxënësve që e ndjekin ka rënë me 80% ndërsa numri i punonjësve është rritur me 50%. Ato para që shkojnë për bursa dhe trajtimin e nxënësve vidhen. Bursa shkon në xhepin e kryetarit dhe nënkryetarit të bashkisë së Vaut të Dejës. Kanë arritur në pikën sa vjedhin para për lekë kafeje. Të afërmit e kryetarit të bashkisë janë punësuar faktikisht. Problemi që ndodh sot është që fondet e MF shkojnë në fondet e bashkisë”, tha ai.
Pas akuzave të deputetit të PD Belind Këlliçi në shkollën “Ndre Mjeda” në Bushat, ka reaguar vetë Bashkia Vau i Dejës. Në një reagim për mediat, n/kryetari i bashkisë, Kristjan Shkreli, tha:
Akuzat janë fushatë zgjedhore e PD, nuk ka lidhje për të mirën e nxënësve të shkollës. PD e djegu palestren e kësaj shkolle. I bëj thirrje PD të mos merren me këto akuza, por të merren me gjëra më të mëdha. Kërkojmë hetimin e prokurorisë pa asnjë problem. Ne jemi të hapur për çdo hetim, pasi nuk jemi hajdutë.