Mësohet gjendja shëndetësore e tre të rinjëve, Igli Madani, Fabio Lamaj dhe Glori, të cilët po udhëtonin në mjetin tip Audi, që shkaktoi aksidentin tragjik ditën e sotme në Levan-Fier.
Në një prononcim për FaxNews mjeku bën me dije se dy nga pacientët kanë pësuar dëmtime më të rënda, ku njëri ka dëmtuar vertebrën cervikale, ndërsa tjetri ka pësuar shembje në të gjithë trupin, ndaj dhe do të nisen për shërbim më të specializuar në Tiranë.
Personi i tretë sipas mjekut nuk ka pësuar asnjë lëndim fizik përveç disa gërvishjeve në fytyrë.
“Ata që kanë ndërruar jetë nuk kanë ardhur në spital. Këtu në repartin tonë nuk kanë ardhur.
Ne në momentin e parë i kemi bërë veprimet tona, kemi bërë skaner, një nga pacientët ka dëmtime të vertebrës cervikale me lupsacion, ka dëmtime modulare, pacienti tjetër ka shembje në të gjithë trupin, ndërsa personi i tretë është vetëm me gërvishje në fytyrë dhe në pjesën e trungut.
Dy pacientët e parë ne do t’i dërgojmë për shërbim më të specializuar në Tiranë, në gjendje më të rëndë është pacienti me probleme të vertebrës cervikale. Pacienti i tretë ka marrë trajtimin ambulator dhe tashmë është i lirë nga ana mjekësore.
Pacientët janë koshient dhe kanë shfaqur shenja paniku, shqetësime që janë post-traumatike”, tha mjeku.
Kujtojmë se aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 08:20 të mëngjesit të sotëm në afërsi të fshatit Panaja në vendin e quajtur ‘Kripa’.
Mjeti luksoz tip ‘Audi’ i cili po lëvizte me shpejtësi tepër të lartë në drejtim të Vlorës, ka goditur nga mbrapa një automjet tip Toyota me targa greke, në të cilin po udhëtonin 4 anëtare të një familjeje.
Goditja e fortë ka bërë daljen e mjetit ‘Toyota’ nga rruga dhe vdekjen e anëtarëve të familjes Gushi nga Patosi.
Personat që ndërruan jetë janë Eduart Gushi, 44 vjeç, bashkëshortja e tij Silvana Gushi, 33 vjeçe, si dhe fëmijët e mitur Anastasia Gushi, 14 vjeçe dhe Eva Gushi, 9 vjeçe. Ndërkohë të plagosur por jashtë rrezikut për jetën mbetën shtetasit Igli Madani, Fabio Lamaj dhe Glori Selimi, të cilët po udhëtonin me mjetin tip ‘Audi’.