Një aksident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Elbasan-Cërrik në fshatin Shirgjan, ku një makinë ka përplasur një motorçikletë me të cilin udhëtonin dy persona njëri prej të cileve ka humbur jetën ndërsa tjetri ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Paraprakisht u raportua për një të plagosur në gjendje të rëndë, ndërsa Policia përmes një njoftimi zyrtar bën me dije se, ka ndërruar jetë drejtuesi i motorrit, E.D. 35-vjeç, ndërsa është plagosur F.Q., 56-vjeç që ishte pasagjer me të.
Mësohet se shtetasi A.Sh., 25 vjeç, banues në Jagodin, Elbasan i cili po merret në pyetje në Polici, duke drejtuar mjetin tip “Audi”, është përplasur me motoçikletën duke shkaktuar këto pasoja të rënda.
Fax Web.al mëson se viktima është Ervis Driza ndërsa i plagosur ka mbetur Fatos Qosa.
Njoftimi i plotë:
Në aksin rrugor Elbasan –Cërrik, shtetasi A.Sh., 25 vjeç, banues në Jagodin, Elbasan, duke drejtuar mjetin tip “Audi”, është përplasur me një motoçikletë me drejtues shtetasin E. D., 35 vjeç, banues në fshatin Shirgjan.
Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë drejtuesi i motoçikletës, si dhe është plagosur jashtë rrezikut për jetën shtetasi F.Q., 56 vjeç, i cili ishte pasagjer në motoçikletë .
Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkakut të aksidentit.
(F.GJ/FAXWEB.AL)