Kryeqyteti shqiptar u trondit nga një tjetër atentat që i kushtoi jetën në vend një 71-vjeçari të identifikuar Abdulla Budlla, ndërsa punonte si taksist në të zezë.
Mësohet se Budlla është vrarë nga një breshëri kallashnikovi që është qëlluar nga brenda një mjeti në lëvizje, ndërsa ai ndodhej në anë të rrugës, dhe nuk dihet nëse po priste klientë apo i ishte përgatitur kurth.
Në vendin e ngjarjes nga hetimet e deritanishme është zbuluar se nuk është gjetur asnjë gëzhojë nga plumbat e dala nga arma e krimit, ndërsa në drejtim të babit të tre djemve (dy prej të cilëve jetojnë në Itali, ndërsa tjetri punon si taksist në Rinas), është qëlluar të paktën 7 herë.
Krimi ka ndodhur në kryqëzimin e Rinasit, në Fushë-Prezë, ndërsa viktima nuk njihet me precedent penal. Fillimisht ngjarjen e kanë raportuar banorë të zonës të cilët kanë lajmëruar policinë pas konstatimit të kufomës në afërsi të mjetit të tij, mbështetur në një bordure betoni.
Pas mbërritjes në vendngjarje, policia ka ngritur pika kontrolli si dhe ka nisur me mbledhjen e çdo prove në vendngjarje për të identifikuar dhe kapur autorët, të cilët ende janë në arrati, e për më tepër të panjohur.
Këta të fundit kanë arritur të largohen me shpejtësi nga vendngjarja pas kryerjes së krimit, ndërsa para se ta bëjnë këtë janë siguruar të fshijnë provat e krimit. Ndonëse mund të aludohej që të ketë qenë një tentativë për grabitje pasi nuk ka dëshmi apo detaje që provojnë ndonjë konflikt të çastit apo të hershëm, nga informacionet e dala nga hetimet mësohet se është përjashtuar një mundësi e tillë.
Ajo çfarë mund të hedhë dritë mbi ngjarjen, mund të ketë të bëjë edhe me aktivitetin e djemve të tij, pavarësisht se zyrtarisht nuk ka informacione që të jenë të përfshirë në ndonjë veprimtari të paligjshme, por megjithatë, mbetet një pistë që po hetohet.
Ka pasur disa shoqërime në komisariat për t’u marrë në pyetje, por asnjëri prej tyre nuk rezulton të ketë ngjallur dyshime të jetë përfshirë në krim. Në zonën ku ndodhi ngjarja, nuk ka biznese apo objekte që monitorohen nga kamera sigurie.
(F.GJ/FAXWEB.AL)