Komisioneri Shtetëror i Zghedhjeve Ilirian Celibashi, përmes një postimi në facebook, i është përgjigjur shqetësimit të avokatit, Adriatik Lapaj, mbi fletën e votimit dhe pretendimit se ajo nuk siguron fshehtësinë e votës për shkak të pranisë së një barcodi.
Celibashi thekson se barcodi është i ndryshëm për çdo fletë votimi me qëllimin e vetëm për patjen e një flete votimi unike dhe të pafalsifikuseshme nga prodhues të tjerë përveç KQZ-së.
Por Celibashi në sqarimin e tij e pranon se nëse do të dihet radha e votimit të personave dhe barcodi i fletës atëherë mund të zbulohet se për ka votuar secili individë. Praktikisht kjo sipas Celibashit nuk është e mundur, pasi pajisja që bën identifikimin elektronik nuk ruan radhën e votuesve.
Postimi i Celibashit: Duke e falënderuar Adriatik Lapaj për pyetjen e ngritur dhe duke marrë në konsideratë interesin e opinionit publik sqaroj se:
Ka ZERO mundësi që ne (kushdo) të marrim dijeni mbi mënyrën e votimit të një votuesi duke lidhur radhën e votimit të tij me leximin e QR-Kode të fletës së votimit (që ky votues ka marë dhe e ka hedhur në kutin e votimit).
Është e vërtetë që QR-Kode është i veçantë për çdo fletë votimi. Kjo bëhet me qëllim që çdo fletë votimi të jetë unike. Duke qenë unike, e personalizuar fleta e votimit nuk ka asnjë mundësi që dikush tjetër (i paautorizuar nga KQZ) të jetë “prodhues” i saj. Pra, në kutitë e votimit të jenë vetëm fletët e votimit që janë prodhuar nga KQZ. Ndaj edhe bëhet personalizimi dhe sekretimi i tyre edhe nëpermjet vendosjes së QR-Kod.
Nëse ne dimë (i) radhën e votimit të një votuesi dhe dimë se (ii) cilën nga fletët e votimit ai ka marrë, atëherë po ne kemi mundësi të dimë se cila ka qënë vota i tij. Pra, duhet të plotësohen patjetër këto dy kushte që ne të kemi mundësi të marrim dijeni për kë ka votuar votuesi në fjalë. Ne nuk e dimë kurrësesi dhe nuk nuk kemi mundësi ta dimë se cilën fletë votimit (me cilin QR-Kod) ka marrë votuesi, (apo votuesit) edhe nëse ne dimë radhën e votimit të zgjedhësit. Dhe dijenia për radhën është më e mundur nga vetë anëtarët e komisioneve dhe/ose vëzhguesit në qendrën e votimit se sa nga Pajisja Elektronike e Identifikimit (PEI). Nëse flasim për PEI, ajo nuk shënon radhën e votimit.
Ndaj për të plotësuar kushtin e parë atë të dijenisë së radhës së votimit të një votuesi nuk “na duhet” PEI. Kjo do të thotë se është pa vend shqetësimi për identifikimin e votës për shkak të përdorimit të PEI.
Nga ana tjetër është e pamundur që të kemi plotësimin edhe të kushtit të dytë. Atij të identifikimit të fletës së votimit që i jepet votuesit radhën e të cilit presupozojmë se dimë. Fletët e votimit janë të prodhura në blloqe të ndarë nga njëri-tjetri, të gjithë të njëjtë në sasi dhe në mënyrë paketimi. Në momentin e fillimit të votimit Komisioni i Qendrës së Votimit merr rastësisht njërin nga blloqet me fletë votimi. Nuk ka radhë në zgjedhjen e bllokut të fletëve të votimit.
Është qartë që në kushtet e zgjedhjes rastësore të bllokut të fletëve të votimit, të dhënies së fletës së votimit të marrë rastësisht nga grumbulli i fletëve të votimit, shkëputur nga blloku, ka ZERO shans, që të dimë se cilën fletë në radhën e gjithë fletëve ka marrë një votues i caktuar.
Matematikisht, sikur vetëm një herë të prishet radha (nëse për një moment pranojmë që mundet ta gjejmë radhën e fletëve të votimit), atëherë në asnjë mënyrë nuk do të dimë se kë fletë votimi ka marrë kush.
Postimi i Adriatik Lapaj:
NJË PYETJE PËR KOMISIONERIN SHTETËROR TË ZGJEDHJEVE
A ISHTE VOTA E FSHEHTË?
Konstatoj se fleta e votimit ka QR-KOD.
Konstatoj se sipas specifikimeve të KQZ-së, QR-KODI përbëhet nga numri serial me 7 shifra, numri i qarkut me 2 shifra dhe numri i qendrës së votimit me 5 shifra.
Konstatoj se aparati që bënte identifikimin elektronik të zgjedhësve bën regjistrimin e votuesve sipas radhës së votimit në qendrën e votimit përkatëse duke i identifikuar ata me numrin që kanë në listat zgjedhore.
Pyetje:
Nëse kryqëzohen të dhënat e QR-KODIT të fletës së votimit që i është dhënë zgjedhësit me numrin korenspondues te paisja e identifikimit të zgjedhësve a del emri i votuesit e për pasojë se për kë ka votuar ai?
Faleminderit shumë!
Nëse vërtetohet se del, atëhere zgjedhjet të fshehta nuk kanë qenë…të lira ndoshta!
P.s është pyetje që do përgjigje.