Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka pasur sot një takim me gazetarët, ku mes të tjerave u pyet dhe nëse presidenti Meta e kishte uruar për rizgjedhjen në krye të kësaj force politike.
Kryemadhi tha se nuk e kishte bërë një gjë të tillë, ama ishte shumë i interesuar për pjesëmarrjen në zgjedhje, dhe i lumtur që bashkëshortja e tij kishte vendosur maskën për herë të parë publikisht.
“Në fakt nuk e kisha bërë këtë llogari, se vetëm për një gjë, kur kanë hapur procesverbalet e Skraparit dhe të Policanit, kanë pasur dhe në kllapa mbiemrin Meta. Nuk më ka uruar, por besoj që ka pasur kuriozitetin e madh për pjesëmarrjen, ka qenë shumë i lumtur që unë kam vendosur maskën në procesin e votimit. Por unë i thashë që e vendosa për shkak se ma kërkuan brenda partisë, foton me maskë ma dërgoi ai i pari, se i kishte pëlqyer shumë”, u shpreh Kryemadhi.
Sa i takon zgjedhjeve brenda LSI-së, Kryemadhi tha se ato ishin transparente, dhe se pjesëmarrja e lartë e anëtarëve tregon se kjo forcë është duke u rritur ditë pas dite.
“Zgjedhjet në LSI ishin transparente. Publiku pa se në zgjedhjet e 25 prillit do ketë një pjesëmarrje të madhe. Risia e zgjedhjeve ishte votimi online.
Pjesëmarrja ishte e madhe, edhe nga shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë. Pjesëmarrja e të rinjve në proces tregon se LSi rritet shpejt. Ky ishte një proces që na çon më të fortë në zgjedhjet e 25 prillit”, tha Kryemadhi. (E.K/Faxweb.al)