Në Rumani po zhvillohen protesta masive për rrëzim të qeverisë së korruptuar, të organizuara nga diaspora, e cila llogaritet të jetë rreth 3 milionëshe.
Duket se të njëjtën gjë është duke u përpjekur ta bëjë edhe Vetëvendosje, e Albin Kurtit.
Kurti, së fundi, pas fillimit të protestave në Rumani, ka filluar të merret aktivisht me diasporën kosovare, sa sot i ka ftuar ata në takim, të gjithë pa dallim, shkruan gazetametro.net.
Në një njoftim të Vetëvendosjes, thuhet se kanë dyert e zyrave qendrore të saj në Prishtinë për të pritur bashkatdhetarët që kanë ardhur në sezonin e pushimeve në Kosovë ditën e martë, më 14 gusht 2018, nga ora 10:00-18:00.
Sipas njoftimit, në këtë takim qytetarët nga diaspora do të mund të takohen me liderin Kurti, dhe deputetë të tjerë të Vëtëvendosjes, ku thuhet se do të diskutohen tema për situatën politike dhe ekonomike në vend.
“Gjatë kësaj dite me dyer të hapura, kryetari Albin Kurti bashkë me deputetë, anëtarë të kryesisë dhe aktivistë të Lëvizjes, do të presin bashkatdhetarët për të diskutuar me ta mbi problemet dhe hallet e tyre, si dhe mbi situatën politike dhe ekonomike në Kosovë. Për të marrë pjesë në këtë aktivitet nuk ka nevojë të caktohet paraprakisht një takim, bashkatdhetarët janë të ftuar të vinë në zyrë dhe të kalojnë kohën me dsikutime në një ambient miqësor në selinë e Lëvizjes. Ju mirëpresim në zyrat qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! afër rrethrrotullimit në lagjen Arbëria”.
Protestat antiqeveritare në Rumani kanë sjellë deri tani më shumë se 450 të plagosur. Ndërkohë qytetërt mbeten të vendosur për të larguar qeverinë për të mos kapur drejtësinë. (B.H/Faxweb)