Në një intervistë për “Fax News” inxhinieri i energjisë Azmer Duleviç foli mbi situatën energjitike në vend. Duleviç theksoi se Shqipëria nuk ka ende një bursë funksionale si vendet e Europës dhe prandaj energjia po blihet shumë më shtrenjtë nga ç’shitet.
I pyetur se a ekziston mundësia për shkëputje të energjisë elektrike në muajt në vijim, inxhineri u shpreh se bazuar në projeksionet dimri me shumë gjasa do të jetë normal pasi ka pasur rritje përtej normës të rezervës energjitike.
Pjesë nga intervista:
Duleviç: Kosova nuk pranoi të mbante në punë termocentralet prandaj KESH i shiti megavatorët me një çmim shumë herë më të ulët nga ai që e blejmë. Ne nuk kemi një bursë funksionale për energjinë elektrike, bursa europiane duhet të ishte funksionale për nëntorin dhe është shtyrë për në janar të 2023-it. Sistemi nuk është gati, mund të jetë miratuar nga ana ligjore. Madje unë ngre dyshimet se edhe në janar është shpejt sepse dhe stafi duhet trajnuar.
-Pyetje: Me këto prurje mund të shtyhet dhe fasha, nga ana tjetër sasia që ne prodhojmë ka kosto simbolike ndërkohë ne e blejmë shtrenjtë, këtë kapacitet që blejmë a duhet të ishte më mirë të investohet te depozitimi dhe marrëveshjet jo vetëm me Kosovën por edhe vendet e tjera të rajonit?
Duleviç: Kjo rregullohet me vullnet politik, u ndërmor nisma “Open Ballkan” por pjesa energjitike u kalua shumë lehtë, kjo situatë nuk dihet sa do zgjasë nëse nuk merren masa të mirëfillta.
-Pyetje: A kemi shanse për një dimër normal për sasinë e eenrgjisë pa pasur shkëputje apo kufizim të saj?
Duleviç: Duhen 17 mijë megavatorë në ditë, ndërsa në dhjetor që përkon dhe me festat shkon deri në 25 mijë, duke pare projeksionet e vitet të kaluara, dhjetori është më i lagësht dhe nuk besoj që do ketë problem aq sa të shkohet në ndërprerje të energjisë. Qeveria duhet të dalë në një deklaratë për fashën, kemi rritje tej normave të rezervës energjitike, dhe është ulur konsumi në rang kombëtar.
-Pyetje: Diversifikimi sa do japë efekt, ka nisur vendosja e paneleve, çfarë efekti do ketë për 2023-in?
Duleviç: Në mënyrë që të mos varemi nga reshjet, implementimi i bojlerëve apo paneleve e redukton konsumin në total, duhet mbështetje më e madhe. Kemi dhe dy termocentralë lundrues por a janë në funksion?
Në momentin që do kemi mungesë energjie ato do vihen në funksion, janë marrë për back-up.
(E.D/faxweb.al)