Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka reaguar pas sulmit me raketa që kreu Irani ndaj bazave të ushtrisë amerikane në Irak, duke konfirmuar se atje nuk ndodhet asnjë ushtar shqiptar.
“Forcat e Armatosura nuk kane efektive ne Irak”, është njoftimi i përcjellë nga ministria e Mbrojtjes, në një kohë që janë rritur ndjeshëm tensionet mes SHBA-ve dhe Irakut.
Irani ka sulmuar në orët e para të mëngjesit të sotëm 2 baza ushtarake amerikane në Irak me 15 raketa balistike në shënjë hakmarrjeje për vrasjen e liderit ushtarak Qasem Soleimani, me dron nga SHBA-të.
Mediat vendase në Iran, raportojnë se nga sulmi kanë mbetur të vdekur 80 ushtarë amerikanë dhe 200 të tjerë janë plagosur, megjithëse Pentagoni nuk raporton për viktima.
“Sipas raporteve të sakta të burimeve tona në terren, të paktën 80 trupa amerikane u vranë dhe rreth 200 të tjerë u plagosën, të cilët u transferuan menjëherë nga baza e ajrit me helikopterë,” tha një burim i informuar në Trupat e Rojeve të Revolucionit Islamik. “Baza ajrore e Ain al-Asad ishte një sit strategjik për Sh.B.A i cili u përdor për të mbështetur dronet,” shtoi burimi.
“Përkundër faktit se amerikanët kishin qenë në gatishmëri të lartë, mbrojtja e tyre ajrore nuk ishte në gjendje të përgjigjej. Në shënjestër kanë qenë 104 pika kritike të mbajtura nga SH.B.A. në rajon, të cilat do të sulmohen kundër gabimit të parë të SH.B.A.”, shtoi burimi, raporton media iraniane.
Trupat e rojeve të Revolucionit Islamik shënjestruan bazën ajrore amerikane të Ain al-Asad në provincën Anbar në Irakun perëndimor, pasi nisi një valë sulmesh në orët e para të së mërkurës për t’u hakmarrë ndaj sulmit amerikan që vrau komandantin e IRGC Quds Force, Qasem Soleimani.
Pas sulmit ka ardhur edhe reagimi i Presidentit Donald Trump i cili me një postim në Twitter ka thënë se gjithçka është mirë dhe se nesër në mëngjes (SOT) do të mbajë një deklaratë për shtyp.
Trump gjithashtu i kujtoi kundërshtarëve të tij që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ushtrinë më të fortë në të gjithë botën.
“Gjithçka në rregull! Raketat e Iranit goditën dy baza ushtarake në Irak. Vlerësimi i viktimave dhe dëmeve është duke u bërë. Deri me tani, shumë mirë! Ne kemi ushtrinë më të fuqishme dhe më të pajisurën në botë, më të mirën! Nesër në mëngjes do ta bëj një deklaratë për media”, ka shkruar Trump.
(E.K/Faxweb.al)