Edi Rama i ka bërë thirrje Presidenti Meta të lexojë me kujdes projektrezolutën e sotme të Kuvendit, duke ironizuar dhe me mungesën e dëgjimit të këtij të fundit si shkak i një përkeqësimi të shëndetit.
“Ma thoni dhe njëherë se jam sëmurë kohët e fundit pyeste kur i kërkonin argumente për ç’dekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Ndaj i them ta lexojë me kujdes projektrezolutën e sotme, nëse nuk na dëgjon mirë sot”, u shpreh kryeministri i cili nuk arriti ta artikulojë qartë kërkesën për shkarkim të Presidentit Meta.
“Një president që dekreton një vendim antikushtetues në mes të fushatës, një marrëzi është një njeri për të ardhur keq. E them si njeri, si mik, si kundërshtar, si njeri që ka bërë dhe të mira në këtë vend”, u shpreh kryeministri drejt fundit të fjalës së tij të gjatë në Kuvend, duke u kujdesur të ekuilibrohej në qëndrimet e tij karshit kreut të Shtetit.
Gjithashtu kryeministri nuk ka harruar të rikujtojë dhe zgjedhjen e Ilir Metës si President i Republikës së Shqipërisë.
“Në rrjetin tim social vazhdimisht jo pak më kanë mallkuar për zgjedhjen e tij dhe sa herë shfaqet Iliri me paudhësitë e veta më përvishen mua.
Nuk jam penduar dhe po të ktheheshim pas në kohë do bëja të njëjtën gjë.
Kjo është për të kujtuar se Ilir Meta u zgjodh me votat e tij president dhe me votat tona nuk mund të zgjidhnim një president tjetër nga ai.
Por a e kisha imagjinuar unë këto sulme të mbrapshta periodike të Metës ndaj republikës tonë parlamentare. Këtë jo nuk e kisha imagjinuar. Ilir Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në atë post”, tha kryeministri Rama, ndonëse nuk u kërkoi deputetëve prerazi njësoj si kreu i grupit të tij parlamentar Taulant Balla shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit.