Gjakrat mes presidentit dhe zërave nga mazhoranca duket se kanë arritur pikën e vlimit gjatë ditës së sotme, teksa po bëhet e zakonshme dhe një lojë me publikimin e fotove.
Ishte fillimisht këshilltari i Taulant Ballës, Besjan Ajazi ai që ka publikuar një foto të presidentit Meta në krah të Altin Hajrit dhe Xhevdet Troplinit, duke pretenduar se fotoja është realizuar në kompleksin Golden në Shijak, i cili u sekuestrua pak ditë më parë në kuadër të operacionit Forca e Ligjit.
Të dy këta persona, me të cilët Metën duket se i ka lidhur deputeti Lefter Koka, janë subjekt i ligjit OFL, edhe pse në Durrës kanë ushtruar prej vitesh aktivitetin e tyre si biznesmen, dhe kanë marrë pjesë edhe në fushata politike.
Pas publikimit të këtyre fotove ka reaguar dhe këshilltari i presidentit Meta, i cili duket se indirekt ka hedhur akuza në drejtim të Lefter Kokës, për të cilin është përfolur se Edi Rama i bën presion për një firmë që ka hedhur për ndërtimin e incerenatorëve në kohën kur ka qenë ministër.
”Ciu Ciu Tao Tao!
Sa për foton, bie erë inceneratorësh kjo flluskë e mjerë!
Por mos humb më asnjë sekondë!
Çoje direkt drejt SPAK-ut ta sqarojnë ata, meqë u jep edhe direktiva publike!
Bashkë me të edhe bisedën e freskët tek zyra e një ministreshe të famshme për t’i ekstraduar të vëllanë nga Italia në Shqipëri! Publikoje më mirë vetë bisedën!
Bashkë me to tregoi SPAK-ut edhe shokët e motrës!
Bëj durim Tao se nuk do gjesh as ti vrimë ku të futesh!
DËGJOJE prapë SOVRANIN dhe bëj durim! Me qetësi dhe drejtësi”, shkruan Blushi në postimin e tij në rrjetet sociale.
Ndërkohë që për ta përforcuar rolin e Lefter Kokës në këtë ”puç” që po tentohet ti bëhet Metës, ka menduar dhe këshilltarja Elona Guri.
Pikërisht ajo ka zbuluar dhe një detaj që nuk e kishim vërejtur në foton e parë, që është realizuar jo në kompleksin e Hajrave siç pretendon mazhoranca, por në lokalin e ish-ministrit që ka dalë nga radhët e LSI-së. Koka, pasi vendosi të mos digjte mandatin, mblodhi deputetët e tjerë që dolën nga listat në restorantin e tij që ndodhet në Durrës.
“Si gjithmonë, Besiani vijon ulet në gjunjë para pantallonave të Taulantit. Besian, ti e di shumë mirë, siç e di gjithë Durrësi mbarë, që ajo është pista e Lefter Kokës.
Foto juaj, tregon një prej festave të Lefter Kokës. Se perdet janë të njëjta. Shih fotot. Ka edhe të tjera plot. Aty keni edhe deputeten e Lefterit, në krah të tij, ndërsa për personin në fjalë, me sa shoh, në dy karrige janë ulur tre burra.
Meqënëse e keni në grupin tuaj parlamentar, merrjani sqarimet deputetit tuaj, Lefterit, i cili ka bërë ftesat dhe fotot. Pastaj, për detaje të mëtejshme, shoqja Etilda mund t’ju sqarojë më shumë. Meqënëse e ke qef OFL, mos harro të ndiqni jo vetëm ata në foton që publikove, po dhe këta këtu poshtë.
P.S: Kujt ja kanë marrë fëmijën peng e di gjithë Durrësi”, shkruan Guri, që duket se nuk do të jetë reagimi i fundit për këtë çështje., pasi akuza e bërë në fund nga ajo është shumë e fortë. Rrëmbimi i një fëmije, për të cilin nuk dihen detaje, e që Guri e ka lënë, ndoshta jo pa shkak enigmë.
Presidenca e ka ftuar Ballën që ta çojë këtë foto në SPAK, duke qenë se në jo pak raste i ka dhënë këshilla falas këtij institucioni.
(E.K/Faxweb.al)