Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetFlashKryesorePolitikëTe FunditTe Gjitha

A do të mbahet tubimi në 8 Dhjetor? Ja si përgjigjet Ilir Meta

Presidenti i Republikës, Ilir Meta foli gjatë mbrëmjes së sotme edhe për planin e tij për të zhvilluar një tubim në datën 8 Dhjetor.

Në një kohë kur vendi vuan ende pasojat që la tërmeti pas, Meta u shpreh se tani nuk është momenti për të krijuar fokus tjetër dhe se qytetarët nuk duhet të tërhiqen nga dhënia e ndihmave.

Megjithatë, ai thkesoi se kjo nuk do të thotë që ai ka ndryshuar mendim sesi mund të vijë zgjidhja e krizës.

Pjesë nga intervista e Ilir Metës:

Gazetarja: Kjo është dëshira dhe shpresa juaj, por ju keni një përvojë të gjatë. Përvoja juaj e gjatë ju thotë që kjo mund të jetë afatgjatë?

Presidenti Meta: Përvoja që kemi nuk është një arsye për të na bërë shumë optimistë, por unë mendoj se rruga më e sigurt që Shqipëria të lërë pas këtë status-quo të krizave të vazhdueshme artificiale, të mungesës së dialogut politik, por për fat të keq edhe të mungesës së marrjes së përgjegjësive për të gjitha pasojat, që pëson vendi apo që pësojnë qytetarët, është rruga e zbatimit të detyrimit kushtetues që populli shqiptar ka vendosur vetë me referendum më 22 nëntor 1998, që ai për çështje të veçanta të shprehet vetë me referendum, pavarësisht qëndrimit apo vlerësimit të forcave të caktuara politike.

Mendoj që kjo do të bënte të mundur që partitë dhe palët të jenë nën presionin e qytetarëve, të interesit të tyre, të interesit publik, të interesit kombëtar dhe jo për fat të keq si deri tani qytetarët shpesh janë viktimë e palëve, e mosmarrëveshjeve të tyre, e mosmarrjes së përgjegjësive nga ana e tyre dhe po kështu edhe vendi.

Kështu që kjo është rruga më e sigurt për mua pas kësaj përvoje kaq të gjatë, që do ta çojë Shqipërinë përpara dhe që do t’i bëjë të gjithë shqiptarët të kenë zë, të dëgjohen dhe mbi të gjitha të vendosin vetë.

Gazetarja: Meqë dolëm tek çështja e referendumit doja t’ju bëja 2 pyetje. Së pari ju keni thirrur një tubim në datën 8 dhjetor në Qytetin Studenti. A i qëndroni kësaj thirrje sërish do të organizohet, i qëndroni thirrjes që i keni bërë popullit për t’u bashkuar ?

Presidenti Meta: Sigurisht që kjo situatë prevalon mbi çdo lloj iniciative tjetër. Tani është momenti i bashkëpunimit, i bashkëveprimit për të përballuar këtë fatkeqësi të madhe, me të cilën po ndeshet vendi dhe sidomos mijëra e mijëra familje të qarkut të Tiranës, të qarkut të Durrësit, të qarkut të Lezhës, por edhe në zona të tjera që janë dëmtuar më pak.

Kjo është prioritare dhe sigurisht që nuk është koha dhe nuk është momenti për të krijuar apo për të mbajtur një fokus tjetër. Sigurisht që kjo nuk do të thotë se unë kam ndryshuar mendim se cila është rruga që do të çojë Shqipërinë përpara dhe që do t’i bëjë shqiptarët të ndihen zot të vetes së tyre dhe të vendit të tyre. Kjo është vetëm një rrugë dhe është rruga e referendumeve, por natyrisht nuk është koha më 8 dhjetor për të tërhequr njerëzit nga terreni, nga ndihma, nga përkrahja që po u bëjnë bashkëqytetarëve të tyre.

Fjalët Kyce
Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *