Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhku ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se po merret me zgjedhjet në Shqipëri ndërkohë që numri i vdekjeve dhe i infektimeve si pasojë e Covid19 në Kosovë, vijon të mbetet i lartë.
Deklarata e kreut të LDK-së vjen pas përfshirjes të mbështetësve të Vetvendosjes në protestën e djeshme në Mirditë kundër ndërtimit të HEC-eve.
”Marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri – nga Kryeministri, ministrat e deputetët e tij – në kohë kur nga 80 bashkëqytetarë në javë na vdesin në Prishtinë; kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri, tregon papërgjegjësi “- shpreh ashpër kreu i LDK.
”Përpjekja për të prekurit e familjet e tyre, për secilin tjetër që sot pret shpëtim – qoftë madje edhe si solidarizim – është një shembull sjellje prej lideri. Është lidership. Këtë punë, këtë shembull, këtë sjellje kjo Qeveri nuk po e jep dot!
Ajo i ka braktisur njerëzit e vet. Në vend të kësaj, në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, pozita, e zgjedhur për të prirë këtu, ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një tjetër shtet.
Duket se 14 shkurti është kuptuar si fund e jo si fillim. Por me këtë fillim të dobët, të dobët shumë, edhe muajt e mjaltit marrin fund. Keni përgjegjësi, mbani përgjegjësi!”- tha Abdixhiku.