FSHF ka reaguar ditën e sotme pas lajmit që 6 futbolliste nuk janë ndjerë mirë gjatë ndeshjes Partizani-Bilishti.
FSHF thotë se tre nga futbollistët që u transportuan në spital kanë bërë analizat dhe tashmë kanë lënë ambientet e spitalit.
Raportimet ishin që gjashtë futbollistët nuk janë ndjerë mirë gjatë ndeshjes, duke shfaqur shenja helmimi. Tre prej tyre thuhej se u dërguan në spital. Mirëpo, FSHF në reagimin zyrtar hedh poshtë mundësinë e helmimit të futbollisteve.
Njoftimi i FSHF-së:
“Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të sqarojë dramën e klikimeve të krijuar ditën e sotme në lidhje me ndeshjen Partizani-Bilisht Sport, e vlefshme për javën e parafundit të Kampionatit Kombëtar të Futbollit të femrave.
Gjatë zhvillimit të ndeshjes së vlefshme për javën e 21 të kampionatit, 3 vajza të ekipit juglindor kanë shfaqur gjëndje të fikti. Menjëherë vajzat janë shoqëruar në spital me ambulancë, e sjellë nga klubi pritës, KFF Partizani, që kanë qëndruar sëbashku me delegatin e ndeshjes, pranë vajzave. Tre futbollistet pasi kanë kryer analizat e nevojshme kanë lënë ambientet e Spitalit.
I bëjmë thirrje të gjithë mediave që të jenë shumë të kujdesshme në raportimin e ngjarjeve të tilla, duke parë që kanë të bëjnë me emocione të lojtareve, prindërve dhe të afërmëve të tyre. Në garën e ekslusiveve dhe klikimeve duhet të tregojmë sëpaku humanizëm dhe profesionalizëm.”
(E.H/Faxweb.al)