Pedagogia Nora Malaj foli sot në studion e Fax Neës për 5 amendamentet e depozituara për arsimin në parlament nga Partia e Lirisë.
Malaj theksoi se nesër është momenti kulmor që deputetët të ngrenë kartonët e tyre për të votuar në interes të taksapaguesve shqiptarë. Ajo tha ndër të tjera se këto propozime kanë një analizë të thellë ekonomike nga mbrapa, duke nisur nga ndihma financiare për studentët e deri te tekstet shkollore falas.
“Ju e dini mirë që nuk është hera e parë që partia e dikurshme LSI e tani Partia e Lirisë ka pasur prioritet arsimin, është jo vetëm logoja e saj por nevoja immediate në situatën aktuale ku jemi. Të ruajmë të rinjtë dhe arsimimin e tyre. Është domosdoshmëri që ky projektbuxhet që ka hyrë të ketë nevojën urgjente për disa ndryshime. Ne vijmë si grup i diskutimeve për arsimin, zonja Erisa Xhixho në diskutimin që ka bërë me grupin ka thënë se janë 5 shtylla kryesore për tu trajtuar, studentët si fillim, gjendja sociale nevoja për koston e jetesës që është rritur.
Në Kosovë studentëve u japin 100 euro në muaj, zonja Kushi mund të mos e pranojë sepse nuk e shikon si prioritare. Pika e parë është mbështetja financiare për studentët me të paktën 100 euro. Pjesa e dytë dhe e tretë bëhet për dy fasha, pagën e pedagogëve dhe të mësuesve. Të rritet e pedagogëve me 30% duke bërë kështu ndryshimin e nevojshëm, të rritet dhe kërkimi shkencor sepse financohet në mënyrë aq qesharake ndërkohë që është shtyllë bazë e arsimit, ne duam ta çojmë në 3% te GDP-së.
Paga e mësuesve në vend është më e ulëta në rajon dhe ne themi që këtë pagë të arsimtarëve ta rrisim me 12%. Pika e katërt lidhet me tekstet falas. Nga një studim që kemi bërë, nëse shtohen 350 milionë lekë atëherë tekstet mund të jepen falas nga klasa e parë në të nëntën. Nuk mësohet dot mbi një tekst me gjurmë. Nuk kemi të bëjmë me histiori luksi por me nevoja jetike.
Unë bëj thirrje që deputetët kur zotohen se do realizojnë çdo prioritet për popullin, është momenti ta marrin ta studiojnë, ne kemi marrë dhe ekspertë ekonomie për këtë analizë. Nëse sot nuk investojmë për arsimin nesër do jetë shumë vonë dhe fati i shqiptarëve është te kartoni i deputetëve. Nesër është momenti kulmor për të vlerësuar situatën, në radhë të parë si njerëz të mendojnë për gjeneratën, janë menaxherë të taksave të shqiptarëve, duhen lënë mënjanë inatet dhe mëritë”-tha Malaj.
(E.D/faxweb.al)