Tepër e rënduar është situata në fshatin Zhamë, në njësinë administrative Dushk, në bashkinë e Lushnjes. Prej 3 dekadash banorët ndihen të braktisur nga e të lënë në harresë nga qeveritë. Më kryesore për ta është mungesa e ujit të pijshëm.
Nga 700 familje të cilat ndodhen në fshat më “fatlumet” janë ato që ndodhen në qendër të fshatit, zonë e cila ka prurje të ujit vetëm gjysëm ore në ditë por dhe ai është i ndotur. Ndërkohë në pjesët e tjera të fshatit uji mungon prej 3 dekadash.
Banorët shprehen se edhe pse depoja e ujit është vetëm 1.5 km larg fshatit, uji shkon në Golem të Kavajës. Për këtë situatë të krijuar banorët janë ankuar shumë herë pranë bashkisë Lushnje dhe kanë marrë premtimin se situata do të rregullohet, por situata vazhdon të mbetet e pandryshuar.
Tejet të indinjuar banorët kërkojnë që problematikat e tyre të marrin vëmendjen dhe të zgjidhen. Përveҫ mungesës së ujit të pijshëm, ata vuajnë edhe nga rrugët e pasistemuara, ndriҫimin dhe gjelbërimin e zonës ndërkohë që janë taksapagues të rregullt.