Kruja vijon që të mbetet një nga zonat e kuqe në vend, me raste sporadike të Covid 19, që kanë si pikënisje disa biznese fason në qytet dhe më pas u zgjeruan dhe te familjarët e personave të prekur.
Në 24 orët e fundit bëjnë me dije burime për Faxweb.al se janë zbuluar 3 raste të reja me koronavirus, të cilat kanë qenë raste kontaktesh të personave që janë infektuar më herët.
Për më shumë se 3 javë nuk kemi humbje jete dhe ky është një indikator që tregon qëndrueshmërinë e këtij shpërthimi epidemik. Në vendin tonë sipas deklaratës së djeshme të bërë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë janë të shtruar 17 pacientë dhe 5 prej tyre janë në terapi intensive, ndërkohë që u raportuan 12 raste të reja.
Deri dje janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 981 qytetarë. Prej tyre, rreth 79% janë të shëruar. Në vendin tonë aktualisht janë 173 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër.
Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 14 mijë testime molekulare dhe serologjike. Deri tani janë mbi 1300 testime serologjike në personel shëndetësor dhe pacientë, me një pozitivitet të përgjithshëm rreth 8%. (E.K/Faxweb.al)