Kanë kaluar 22 vite nga masakra e Reçakut, ku u vranë 45 shqiptarë të Kosovës në fshatin Reçak. Masakra u krye nga forcat serbe, por Serbia ende refuzon të pranojë një nga genocidet më makabre të historisë së Evropës së pasluftës.
Në këtë përvjetor ka reaguar dhe kryedemokrati Basha me anë të një postimi në Twitter i cili kujton viktimat e masakrës së Reçakut. Ai shkruan se duhet drejtësi që historia të mos përsëritet, as harrohet e as tjetërsohet.
“Mbarë shqiptarët përkujtojnë sot masakrën e Reçakut. Plaga është ende e freskët, dhimbjet nuk janë fashitur e do të mbeten derisa të ketë drejtësi për viktimat e genocidit në Reçak dhe në të gjithë Kosovën. Drejtësi që historia të mos përsëritet, as harrohet e as tjetërsohet!”, shkruan Basha.
Më 15 janar 1999 fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, ushtarake dhe paraushtarake serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara. Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 06 e 30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bastisin fshatin.
Banorët janë përpjekur të largohen nga fshati apo të gjejnë një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt e ka bërë të pamundur një gjë të tillë. Forcat policore serbe që ishin futur përmes rrugës kryesore të fshatit kishin arrestuar shumë banorë e më pas i vranë ata.
Pamjet e kësaj masakre u përhapen në të gjithë botën dhe sensibilizuan ndërkombëtarët për të ndërhyrë në spastrimin serb ndaj popullsisë së Kosovës.