Detaje të reja kanë dalë në lidhje me shoferin e BMW-së që shkaktoi aksidentin e frikshëm tek ambasada italiane tre ditë më parë. Vetëm në 3 muajt e fundit mjeti me targa AA009YV ka marrë 2 gjoba me komision për kalim semafori me të kuq dhe tejkalim shpejtësie.
Shkelje mjat të rënda të cilat shoqërohen me bllokim të mjetit dhe heqje patente pasi janë të njëpasnjëshme si veprime që cënojnë sigurinë rrugore.
Kujtojmë se të enjten e 14 janarit dy automjete u përfshinë në një aksident pranë Ambasadës Italiane, në Tiranë, ku shkak i aksidentit u bë shpejtësia e lartë dhe mos respektimi i rregullave rrugore.
Nga videot që u publikuan në rrjetet sociale përtej aksidentit fatal, shihet se për fat të mirë dy kalimtarë shpëtuan pa asnjë lëndim teksa po kalonin vijat e bardha pranë rrugës ku ndodhi dhe aksidenti.
Aksidenti u shkaktua nga një makinë e tipit BMW, version 750 LI, e cila me një shpejtësi mbi 150 km/orë hyri me të kuqe dhe përplasi një makinë Skoda. Kjo e fundit po vinte nga rruga e Liceut Artistik në drejtim të Kryeministrisë.
Shoferi i BMW-së që shkaktoi aksidentin ishte i riu Stiverjan Dashi, ku në rrjetet sociale shihet dëshira e tij për makina të shpejta. Para aksidentit të rëndë, i riu ka postuar disa foto në rrjetet sociale, ku shfaqet para makinës së tij luksoze. Nga postimet nëpër rrjetet sociale I riu shihet se bën një jetë luksoze, ku pushimet i kalon në Dubai dhe Mykonos. Nga fotot shihet se ai është edhe një frekuentues i kazinove.