Zëvendësministër i Ekonomisë dhe Financava Besart Kadia ka dhënë detaje sa i takon projektit që do të zhvillohet në Portin e Durrësit.
Kadia u shpreh në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave se kjo marrëveshje sjell vetëm të mira për vendin tonë, duke theksuar se do të mundësohen 12 mijë vende të reja pune. Ai shtoi se investitori po operon në disa shtete të Evropës dhe shteti shqiptar nuk do japë asnjë qindarkë për këtë projekt.
Pjesë nga mbledhja e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave:
Kadia: Nuk do të preket asnjë fond publik për zhvillimin e këtij projekti, kjo marrëveshje sjell të mira për vendin tonë. Ky projekt do të sjellë 12 mijë të punësuar. Impakti direkt është 12 mijë të punësuar, fillimisht në ndërtimin e zonës dhe më pas në menaxhimin e saj.
(Ndërhyn Shehaj)
Shalsi: Jepni mundësi të mbarojë prezantimin dhe pastaj sqarohemi, jo tani. Kur të vijë pjesa e pyetjeve po.
Kadia: Zoti Alabaar, ka qenë zyrtarisht pjesë e delegacionit në çdo takim, përmes kompanive të administruara prej tij janë zhvilluar projekte urbane me vlerë 14 miliardë euro, në 5 vitet e fundit në Europë e Mesdhe Alabar ka zhvilluar…
Shalsi: Nuk ka protagonistë këtu…
Kadia: Ai po operon disa investime në Kroaci, Serbi, Marok, Jordani etj me radhë. Do doja të shpjegoj planin e biznesit të paraqitur nga investitori me paratë e tij, shteti shqiptar nuk do paguajë asnjë qindarkë. Sipërfaqja e 1.3 milionë metra katrorë në skenar minimal, 850 dhoma, 1200 shtretër. Do të ketë 80 mijë metra katror hapësira të gjelbra të hapura për qytetarët e Durrësit, do t’i shtohet 700 metër gjatësi lineare plazhi, 200 vende për jahte. Projekti është parashikuar të bëhet në dy faza, e para nuk prek aktivitetin aktual portual të Durrësit, investimi në fazën e parë 595 milionë euro para të investitorit.