Kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar sot lidhur me aksionin e Policisë që çoi në arrestimin e 11 personave, pjesë e grupit kriminal Bajri, në qytetin e Shkodrës.
Rama shpreh respektin dhe për punën e prokurorisë, për të cilën thotë se ka shprehur të gjithë vendosmërinë në këtë aksion.
Reagimi i Ramës:
Policia e Shtetit foli përsëri me forcën e vendosmërisë sonë në luftën kundër krimit. Forca e Ligjit prangosi rrjetin kriminal të Shkodrës pas një pune policore disamujore të shtrirë edhe jashtë vendit. Respekt dhe për vendosmërinë e Prokurorisë. Forca e Ligjit po përshkallëzohet.
Kujtojmë se nga operacioni u arrestuan personat e mëposhtëm:
- Behar Brajoviq (Bajri) arrestuar në Roterdam, Holandë;
- Samet Halluni, i arrestuar në Roterdam, Holandë;
- Ilir Rustemi, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
- Emrah Plaku, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
- Astmer Bilali, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
- Armir Grimaj, arrestuar në Shkodër;
- Safet Rustemi (Bajri), i arrestuar në Tiranë;
- Fabiol Rexhepi, i arrestuar në Shkodër;
- Ismet Idrizi, i arrestuar në Shkodër;
- Denis Brajoviq, i arrestuar në Tiranë;
- Klaudio Hoxhalliu, i arrestuar në Tiranë.
Akuzat ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal janë: “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim, “Vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Organizim i llotarive të palejuara”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Përkrahje e autorit të krimit”, ‘Moskallëzim krimi”, “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”, vepra penale këto të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Si vepra të rënda kriminale, të dokumentuar deri tani janë 2 vrasje të ndodhura në Shkodër, ngjarje e ndodhur në 7 shkurt 2001, ku u vra shtetasi A.T., dhe ngjarje e datës 20 qershor 2002, ku u vra shtetasja F.H., 15 vjeçe.
(E.K/FAXWEB.AL)